Shkas për këtë shkrim u bë një emision për fëmijë. Fëmijë të ndryshëm, diku nga klasa 3 apo 4 e arsimit fillor, që recitonin poezi. Përtej kënaqësisë që të japin fëmijët, pothuaj në të gjitha rastet dëgjohej një zë i njëjtë me të njëjtat tone të larta, pavarësisht se çfarë po recitonte. Këtë fenomen e kam vënë vë re që nga festat e abetares e deri tek orët e mësimit në klasat e larta. I njëjti ton, i njëjti ritëm, e njëjta shprehje emocionale.
Dikur, në orët e gjuhës shqipe, zhvilloheshin disa orë në vit “teknikë recitimi”, si orë më vete, brenda progamit të lëndës së gjuhës shqipe. Gjithsesi, mendoj se nuk është e domosdoshme që të zhvillohen orë më vete për të mësuar elemantët e teknikës së recitimit. Kjo gjë mund të realizohet brenda çdo ore gjuhe, sa herë që nxënësit lexojnë. Por ajo që kam vëzhguar dhe më duket shqetësuese është se, mësuesit duke u marrë me teknika e metoda që zhvillojnë mendimin kritik, kanë harruar që si fillim, nxënësit duhet të lexojnë bukur prozën dhe poezinë.
Çdo pjesë letrare ka specifikën e vet, prandaj si fillim duhet thelluar në përmbajtjen e pjesës që të bëjnë një lexim të vetëdijshëm. Të kuptojnë se çfarë po lexojnë, e më tej t’a interpretojnë. Kjo gjë fillon që në lëndën e abetares dhe sidomos në etapën pas abetares e më vonë në klasat më të larta. Për këtë është e nevojshmë që nxënësit të fitojnë mekanizmat për një të lexuar të vetëdijshëm, të saktë, të shpejtë dhe shprehës.
Më poshtë po rikujtoj shkurt disa elementë që ndihmojnë në një lexim të bukur.
Zbërthimi i përmbajtjes së pjesës.
Edukimi i frymëmarrjens me anë të ushtrimeve praktike.
Lartësia e zërit.
Forca e zërit.
Intonacioni.
Ndalesat.
Tempi i leximit.
Theksi logjik.
Gjestet dhe mimika.
Këto element mësohen gradualisht deri sa fitohet një lexim i bukur. Kuptohet, jo të gjithë nxënësit kanë talent të interpretojnë bukur një pjesë letrare, por nëse nxënësit do të marrin marrin njohurtë e duhura të teknikës së recitimit, nuk do të kemi ato çirrjet që dëgjojmë rëndom në interpretimin e pjesëve letrare.
(Nga Drita Kolndreu)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.