E dashur mësuese…

E dashur mësuese, detyrë të vështirë ke apo jo? Me siguri tani po të kujtojnë se sa shumë ditë pushimesh ke e ke bërë.

Po e di se si të them unë? I ke merituar.

Kush t’i ka vënë re sytë e përlotur dhe të fshehur pas një pamjeje të qeshur apo të zymtë; sa durim për të mbajtur mbi shpinë shpesh herë lëndime dashakeqe si vetë fjala që i derdh; sa orë veçmas, e mënjanuar nga shoqëria sikur tërë bota të ishte perfekte e vetëm ti jo…

Pa diskutim që bota tanimë së fundmi është ndryshuar shumë dhe atje jashtë ka ende mësues të cilët më së paku, meritojnë emrin që mbajnë, por kjo nuk mund të përgjithësohet. Ky nuk është rasti yt mësuese e dashur.

Cili vallë e di atë që ti mban brenda; sa të lëndojnë fjalët e hedhura ashtu në erë; sa të dekurajojnë buzëqeshjet e munguara, apo përgëzimet për punën tënde (e vogël a e thjeshtë qoftë ajo).

Cili vallë e njeh impenjimin tënd të vazhdueshëm, ditë pas dite, dedikimin, forcën që të duhet për të zhvatur nga vetja qetësinë e më pas të përballësh ditën mes nxënësve, edhe kur diçka nuk shkon në jetën tënde. Ose thjeshtë, kur trishtimi të pushton çdo milimetër të trupit dhe në heshtje, me stilolapsin në dorë vazhdon misionin që ke zgjedhur. Të duhet të buzëqeshësh, kur në të vërtetë do të doje të qaje, madje më shumë, të ulërije.

Pyes vazhdimisht: Si ka mundësi që e kemi më të lehtë të drejtojmë gishtin diku, se sa të shohim brenda vetes?

Një herë e një kohë roli yt në shoqëri konsiderohej “number one”. Ti, me autoritetin tënd i bëje të tërë të heshtnin (përfshirë edhe prindërit). Dhe nëse diçka nuk shkonte, atëherë rivendosje menjëherë rregull. E të gjithë, me shumë adhurim të ndiqnin.

Po ne ç’dreq bote po jetojmë ne tani?

Profesionistë të vënë gjithmonë para dyshimeve dhe paragjykimeve, aspak të lirë për të bërë punën e tyre të qetë; vlera të përqeshura nga thashethemnaja denigruese; demotivime të prejardhura nga sisteme fikse politike; nënvlerësime vlerash pune dhe mbivlerësime antivlerash patetike.

Sot po të shoh të rrethuar nga aureola e nxënësve të tu, si e vetmja kurorë që koha dhe vetja të zgjodhi.

Unë besoj te ti mësuese.

Besoj te roli yt, shoh sakrificën tënde, shoh sytë e tu të lodhur pas mësimit dhe nuk ka rëndësi nëse vjen nga klasa e parë, kopshti, adoleshentët apo çerdhja. Unë shoh rezultatin e një pune të vështirë kur përpiqem të të gjej vështrimin e lodhur.

E dashur mësuese shijoji pushimet. Vetëm kështu mund të shlodhem edhe unë.

Punë të mbarë!

(Natasha Shuteriqi Poroçani)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Si të rrisim fëmijë altruist

Next Article

Drejtori i gjimnazit “Skënderbeu”: “Të jesh drejtues është përgjegjësi dhe privilegj”

Related Posts