Lodhja që ju ndjeni ndërsa shkoni në shkollë nuk është gjithmonë një gjë e shëmtuar. Ajo ju ndihmon të rriteni. Në shkollë fitoni disa AFTËSI shumë të nevojshme për të qenë një ditë “një person i rritur”.
Të dashur vogëlushe e vogëlushë,
Sot më rastisi që një mikja juaj, ajo çamarrokja me sy jeshilë dhe kërcim balerine, më preu fjalën në mes e më tha:
–E ç’më duhet të shkoj në shkollë? Që të lodhem? Jo nuk më duhet shkolla…
Në fakt, kjo çamarrokja me sy jeshilë e me kërcim balerine, sapo ka nisur klasën e parë dhe lodhet shumë. Sepse ç’është e vërteta LODHJA nuk është ndonjë gjë fort e bukur…. Me siguri që këtë fjalë edhe ju ia keni thënë mamit, babit apo dikujt tjetër. Dhe unë them që ju ende e mendoni këtë gjë…. Por LODHJA që ju ndjeni ndërsa shkoni në shkollë nuk është gjithmonë një gjë e shëmtuar. Ajo ju ndihmon të rriteni.
Në shkollë ju mësoni të njihni botën që ju rrethon. Atje fitoni disa AFTËSI shumë të nevojshme për të qenë një ditë “një person i rritur”. Ama, gjithçka që merrni në shkollë edhe tani që jeni të vegjël ju SHËRBEN shumë. P.sh., kur bleni akullore, ku do ta dini ju që paratë e kthyera nga shitësi janë aq sa duhet, nëse nuk mësoni TË LLOGARISNI në shkollë? Ose si do t’i dërgonit kartolina apo sms të afërmve tuaj, nëse nuk dini TË SHKRUANI? E për më tepër si do të mund t’i dinit këto që unë po ju shkruaj nëse nuk do të mësoni TË LEXONIT? Këto janë vetëm disa shembuj të thjeshtë, por rëndësia e asaj që mësoni në shkollë është akoma më E MADHE.
Nëse një ditë do të donit të drejtonit një makinë, duhet të jeni të aftë të lexoni rregullat e tabelave të rrugës; në po këtë mënyrë për të bërë pazaret do t’ju duhet të lexoni çmimet dhe etiketat e produkteve; ose kur udhëtoni ju duhet patjetër të dini një gjuhë të huaj. Po ka edhe më shumë…
Të shkosh në shkollë është një rast i mirë për të mësuar TË JETOSH bashkë me të tjerët dhe madje të zgjidhësh edhe problemet e tua të përditshme me to. P.sh. sa herë që bëni një punë në grup bashkë me shokët tuaj, ju STËRVITENI që të komunikoni me të tjerë persona që janë të ndryshëm nga ju, të gjeni zgjidhje që u përshtaten të gjithëve. Kur jeni në vështirësi, do të mundoheni për ta gjetur zgjidhjen dhe do të vini në punë tërë AFTËSITË tuaja. Ose, duke punuar çdo ditë, rubrikën: “Puno edhe ti” DO TË MËSONI të vendosni VETË se çfarë ju duhet e çfarë nuk ju duhet.
Shkurt të dashur vogëlushë e vogëlushe, shkolla është si një PALESTËR e madhe që ju shërben të bëheni të rritur: si në të gjitha palestrat lodhesh, domosdo, por ia vlen, sepse pastaj “je në formë” për tërë jetën.
Hë, si thoni, ia vlen lodhja? (E shihni se si u zvogëlua ajo edhe në të shkruar tani? Nuk është më me germa të mëdha….)
Natasha Shuteriqi Poroçani
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.