Drejtoresha e QSHA, Rezana Vrapi: Provimet për licencën fillojnë më datë 21 tetor

Provimet për profesionin e rregulluar të mësuesit do të nisin më datë 21 tetor. Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e QSHA, Rezana Vrapi, gjatë një interviste për Portalin Shkollor.

Nga Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë, Tiranë- Durrës, Lezhë, dhe Fier kanë përfunduar procedurat e regjistrimit nga mësuesit e interesuar, të profileve të ndryshme, për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit” ose ndryshe provimi i licencës. Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar na kanë thënë se kanë bërë tashmë dorëzimin e të gjitha dokumenteve të përcaktuara për këtë provim pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA).

 Zj. Rezana ne jemi interesuar të dimë: 

1 – Në cilat data do të zhvillohet provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit, për secilin profil? 

Provimi i shtetit, për profesionet e rregulluara te mësuesisë pritet të fillojë më datë 21 tetor, pra të hënën e ardhshme. Por nesër në faqen zyrtare të QSHA do të publikohen datat për çdo profil të mësuesisë si dhe lista e kandidatëve me orën se kur duhet të paraqitet në mjediset e QSHA. 

2 – Në cilat ambiente do të zhvillohet ky provim? 

Provimi zhvillohet ne ambientet e QSHA (që në 2011 ky provim është zhvilluar në institucionin tonë). Adresa; Bulevardi Zhan D’Ark, Nr. 23, Tiranë.

3 – Sa kohë kanë në dispozicion mësuesit për dhënien e provimit dhe kush i mbikëqyr ata? 

Kohëzgjatja e provimit është 60 minuta. Provimi zhvillohet me kompjuter. Secili kandidat regjistrohet paraprakisht nga një specialist i QSHA dhe më pas ulet në kompjuterin përkatës. Salla monitorohet nga specialistët e QSHA si dhe nga kamerat. Nuk lejohet përdorimi i celularëve dhe ambientet kanë bllokues valësh. Nëse dikush kapet me celular, edhe sikur të mos e ketë në përdorim, por thjesht e ka në xhep, ai/ajo s’kualifikohet menjëherë.

4 – Sa përqind nga pyetjet e vlerësimit kanë pyetje nga aspekti profesional dhe sa përqind nga pyetjet e vlerësimit kanë pyetjet e formimit psikologjik të fëmijës? 

Në testim janë gjithsej 50 pyetje me një total prej 100 pikësh. 70% e testit i takon pjesës shkencore dhe 30% pjesë didaktike, pedagogjike.

5 – A do të lejohet të kenë fleta dhe stilolapsa mësuesit e lëndëve ekzakte, duke qenë se provimi zhvillohet online? 

Në matematikë dhe fizikë, QSHA iu ofron kandidatëve fleta me vulën e institucionit si dhe stilolapsa po nga institucioni. Kandidati nuk lejohet të mbajë asgjë me vete, me përjashtim të kartës së identitetit. 

6 – Sa përqind të pikëve duhet të marrë kandidati që të quhet kalues?

Çdo kandidat e merr rezultatin menjëherë pasi përfundon testimi, pra kur mbarojnë 60 minuta. Që të konsiderohet kalues, duhet të marrë 50% të pikëve.

7 – Niveli minimal dhe maksimal i pikëve sa ndikojnë në renditjen e portalit për përzgjedhjen e mësuesve? 

Për portalin e mësuesit ka disa kritere, jo vetëm pikët e licencës. Po natyrisht sa më shumë pikë të marrësh në provimin e shtetit aq më pretendues i fortë je për të zënë vendet e para në renditje.

Nanila Allkja Biçaku

Tiranë më 16.10.2019

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
1 comment
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Planifikimi i portofolit të të nxënit, letërsi klasa XI

Next Article

Nxënësit që konsumojnë fast food-e kanë performancë të ulët në mësime

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427