Për të pasur një punë efektive dhe menaxhim të suksesshëm, një drejtues i mirë i institucionit arsimor, krahas punës rutinore duhet të koordinojë mirë edhe detyrat me nëndrejtorin, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij.
Detyrat e nëndrejtorit sipas legjislacionit shqiptar, kryesisht janë të përfshira në Dispozitat Normative 2013 të ngarkuara prej drejtorit të institucionit arsimor. Në ndryshim kjo nga legjsilacioni i Republikës së Kosovës, ku me një rregullore të veçantë përcaktohet përshkrimi i detyrave të punës të punonjësve arsimorë dhe organizimi i punës në institucionet edukativo-arsimore.
Detyrat e nëndrejtorit të shkollës sipas Dispozitave Normative 2013 janë si më poshtë:
NENI 11
Procedurat e përzgjedhjes së teksteve shkollore. Kompensimi i çmimit të teksteve shkollore.
Pika 9. Drejtori i shkollës publike të arsimit bazë, ose nëndrejtori i ngarkuar prej tij, në bashkëpunim me mësuesit kujdestarë:
a) organizojnë njohjen e prindërve me procedurat e përfitimit të kompensimit të çmimit të teksteve;
b) hartojnë listën e nxënësve që përfitojnë tekste falas dhe kompensime të tjera të çmimit të teksteve.
NENI 59
Ndjekja e shkollës publike nga nxënësit:
Pika 3. Nëndrejtori, që mbulon ndjekjen e shkollës nga nxënësit, ose drejtori, kur nuk ka nëndrejtor, plotëson fletoren e kontingjentit të nxënësve të shkollës në fund të semestrit të parë dhe të vitit shkollor.
NENI 62
Ngarkimi i detyrave nga drejtori i institucionit arsimor:
Pika 1. Drejtori ndan punët me nëndrejtorin duke e ngarkuar me detyra të caktuara.
Pika 2. Në shkollën e mesme profesionale njeri nga anëtarët e drejtorisë është me arsim të lartë profesional, sipas profilit të shkollës.
Pika 3. Drejtori dhe nëndrejtori nënshkruajnë përshkrimin e punës së nëndrejtorit në të cilin përcaktohen detyrat e nëndrejtorit.
Pika 4. Nëndrejtorët përgjigjen përpara drejtorit të institucionit arsimor për realizimin e detyrave dhe i raportojnë sipas përshkrimit të punës.
NENI 68
Vlerësimi i brendshëm i shkollës:
Pika 4. Vlerësimi i brendshëm kryhet në nivel individual (drejtori, nëndrejtori, mësuesi) dhe në nivel organizmash të shkollës (drejtoria, kur ka të paktën dy nëndrejtorë, këshilli i mësuesve, ekipet lëndore).
NENI 74
Plani i mësuesit (Vlerësimi nga drejtori/nëndrejtori i shkollës)
Pika 1. Plani i mësuesit është marrëveshje në mes drejtorit/nëndrejtorit të shkollës dhe mësuesit gjatë një viti shkollor. Mësuesi i shkollës, përveç mësuesve që kryejnë praktikën profesionale, harton këtë plan në fillim të vitit shkollor.
Pika 2. Plani përmban këta tregues:
a) Numri i krediteve që mësuesi do të fitojë brenda vitit shkollor.
b) Përqindja e notave kaluese dhe nota mesatare e nxënësve të një klase në provimet me shkrim që drejtoria kryen (gjatë viti ose me short).
c) Vlerësimi i objektivave minimale për kapitull (Mesatarja e disa matjeve).
ç) Vlerësimi i orës mësimore (arritjet minimale të nxënësve) (Mesatarja e disa matjeve).
d) Numri i kumtesave të paraqitura në këshillin e mësuesve ose në organizma të tjera.
dh) Përqindja e orëve mësimore të munguara jo për arsye shëndetësore.
e) Numri i ankesave për të në Komisionin e Etikës dhe të Sjelljes që komisioni i vlerëson të drejta, paraqitur nga Kryetari i Komisionit.
ë) Masat disiplinore nga drejtori i shkollës.
Plani mund të përmbajë tregues të tjerë të matshëm me kërkesën e drejtorit/nëndrejtorit të institucionit arsimor.
Pika 4. Plani shqyrtohet nga drejtori/nëndrejtori dhe miratohet prej tij.
Pika 5. Plani i mësuesit ruhet në dy kopje, njëra nga mësuesi në portofolin e tij profesional dhe tjetra nga drejtori i shkollës/nëndrejtori. Plani ruhet për 2 vjet.
Pika 6. Në fund të vitit mësimor, drejtori/nëndrejtori analizon me mësuesin realizimin e planit të tij. Drejtori/nëndrejtori harton vlerësimin vjetor të mësuesit, ku përshkruan përmbledhtas anët pozitive të veprimtarisë së tij vjetore dhe përmirësimet që duhet të arrijë në vitin pasues shkollor.
NENI 75
Portofoli profesional i mësuesit
Pika 2. Drejtori/nëndrejtori i institucionit mban për çdo mësues kopjet e dokumenteve:
a) CV, sipas modelit në shtojcën nr. 8.
d) Plani i mësuesit sipas nenit nr. 74.
dh) Vlerësimi vjetor i mësuesit nga drejtori i institucionit arsimor.
NENI 84
Detyra të mësuesit kujdestar. Orët e kujdestarisë.
Pika 7. Plani vjetor i orëve të kujdestarisë miratohet nga drejtori/nëndrejtori i shkollës
NENI 89
Mungesat e arsyeshme të nxënësit. Përpunimi i të dhënave për mungesat e nxënësve.
Pika 3. Për mungesa më të gjata se dy ditë, vlerësimi bëhet me shkrim nga drejtori/nëndrejtori i shkollës dhe i dorëzohet mësuesit kujdestar.
Pika 5. Drejtori/nëndrejtori përpilon tabelën e të dhënave mujore të shkollës dhe rendit klasat sipas dy treguesve:
a) “Numri i mungesave për nxënës” e rrumbullakosur me një shifër pas presjes;
b) “Përqindja e mungesave 1-3 orëshe kundrejt të gjitha orëve” e rrumbullakosur me një shifër pas presjes”.
KREU XX
DOKUMENTACIONI NË INSTITUCIONET ARSIMORE
NENI 112
Regjistri i klasës, dëftesa e klasës, amza e shkollës:
Pika 9. Amza plotësohet nga sekretari i shkollës. Në mungesë të tij, drejtori nxjerr vendimin me shkrim për nëndrejtorin ose mësuesin që e autorizon të plotësojë amzën. Çfarëdo shënimi në amzë nga të tjerë është i kundërligjshëm.
NENI 119
Zhdëmtimet në institucionet arsimore publike
1. Drejtori/nëndrejtori, për dëmtimin/vjedhjen e pronës publike në institucionin arsimor nga punonjësit/nxënësit e institucionit, harton procesverbalin, ku përshkruan ngjarjen dhe dëmin.
Krahas detyrave të përcaktuara në DN 2013, nëndrejtorit mund t’i ngarkohen detyra me karakter administrativ apo pedagogjik nga drejtori i institucionit arsimor në ndihmë të punës mësimore dhe edukative. Psh: kontrolli dhe udhëzime mbi plotësimin e regjistrave, koordinimi i punëve me Senatin e Shkollës, mbarëvajtje të Ekipit Kurrikular ose Ekipeve Lëndore, ndihmesë në realizimin e Planit të Kontrollit. Mund të kontrollojë dhe koordinojë punët me këshillat e klasave, për realizimin me sukses të veprimtarive ekstra-kurrikulare.

Klodian Xhyheri, drejtor i shkollës jopublike “Xhyheri”, Vlorë
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.