Dedikuar Babait tim!

Duajini prindrit sa janë gjallë, ofrojini dashuri dhe respekt sepse kur të largohen nuk marrin dot asgjë me vete, përveç dhimbjes që po largohen nga kjo botë.

Kam disa çaste që shoh në një letër të bardhë dhe nuk e di çfarë të shkruaj, jo sepse nuk kam asgjë për të shkruar por përkundrazi nuk di nga t’ia nis. Mund të shkruaj edhe për orë të tëra, por një gjë është e sigurt, asgjë nga këto që them apo shkruaj nuk mund ta shprehin në mënyrë të plotë dashurinë dhe mallin qe unë kam për tim atë…

Midis sakrificave, vështirësive e dhimbjeve që përjeton një njeri, më e papërballueshmja është humbja e një personi të shtrenjtë siç është prindi, pa të cilin jeta fillon e të bëhet bardh e zi! Për mua kjo është një periudhë viti që më kujton momentet e vuajtjeve të tij, një periudhë kur ne të gjithë bashkë me tim atë luftonim me një monster të quajtur “kancer”, por betejën e humbëm, shpirti i tij i mrekullueshëm iku në paqe, i ndriçuar nga drita e të gjithë mirësisë dhe dashurisë që pati në zemër. Kjo është një periudhë viti, kur e gjithë bota ime e të menduarit vërtitet vetëm rreth një mometi, është një kohë kur gjithcka bëhet e turbullt dhe janë kujtimet ato që përmbysin mendjen time.

Megjithatë unë fytyrës sime mundohem t’i jap një pamje të guximshme dhe kokën e mbaj lart ashtu siç më mesoi im atë, edhe pse brenda zemra më dhemb dhe diçka ndjej, si të më ngushtohej diçka thellë në shpirt.  Te gjithe më thonë “do të bëhet më e lehtë” , “do ta kalosh”, por nuk është aq e lehtë sepse duhet kohë që të shërohen të tilla plagë.

Une besoj në Zot dhe tek im atë që edhe në atë botë ku është vazhdon të kujdeset për mua. Duke qenë ai i cili më mesoi të jetoja çdo çast, më mesoi të ndjek ëndrrat e mia, më mësoi të mos kem frikë nga e vërteta etj, nuk mund të mbetet kurrsesi një kujtim i çfardoshëm për mua, por është personi që përcolli tek unë shumë vlera, të cilat çdo ditë e më shumë dua t’i demonstroj.

Dua t’i bëj çdo ditë të njohura për të gjithë, sepse ajo çfarë përfaqëson im atë për mua është një oaz i pafundmë vlerash që çdo vajzë do të donte ta shihte tek prindi i saj. Ashtu sikurse Benjamin Franklin shkroi dikur, “Nëse nuk do të harrohesh sapo ke vdekur apo je kalbur, ose ke shkruar gjëra me vlerë për t’u lexuar, ose ke bërë gjëra me vlerë për t’u shkruar”. Ai është ky i dyti dhe unë jam vajza më krenare që kisha një baba të tillë dhe shpresa ime e vetme është që edhe ai një ditë të bëhet krenar gjithashtu për mua.

Duajini prindrit sa janë gjallë, ofrojini dashuri dhe respekt sepse kur të largohen nuk marrin dot asgjë me vete, përveç dhimbjes që po largohen nga kjo botë.

Ermira Hysa

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Nuk ka dëshirë për asgjë!

Next Article

Të kërkosh ndihmë nuk është shenjë dobësie

Related Posts