Është e domosdoshme mbështetje që u duhet ofruar atyre mësimdhënëse dhe grupeve të nxënësve që përpiqen me mish e me shpirt të sjellin sa më shumë risi në proceset edukative, arsimore dhe reformuese duke zhvilluar në këtë mënyrë këndvështrime dhe pikëpamje të larmishme.
Në çdo event që realizoni është e natyrshme që të kërkoni një mbështetje prej një grupi nxënësish të cilët:
- Janë të kuptueshëm;
- Dinë të gjykojnë dhe të arsyetojnë për punën apo eventin me të cilin merreni;
- Sillen të papërtueshëm dhe tregohen të shkathët në organizimin e një veprimtarie;
- Arrijnë të japin mendime dhe ide të qarta në përpilimin e një organizimi;
- Lexojnë, jo vetëm tekstet shkollore, por padyshim edhe libra të gjinive të larmishme;
- Tregohen të mprehtë në vënien dhe realizimin e objektivave;
- Shfaqen dhe janë të sigurtë në atë që kërkojnë;
- Rezultati i punës së tyre është përherë pozitiv;
- Janë produktivë;
- Aspirojnë në kërkim të risive …
Në fakt, këtu nuk është fjala të kërkoni apo të formoni vetëm të ashtuquajturin “Grupi artistik i shkollës”, përkundrazi është dhe duhet të jetë ai grup nxënësish, të cilët kanë aftësitë e duhura për realizimin suksesshëm të një eventi të caktuar, event ky që jo domosdoshmërish është një program artistik.
Ju ndodh të organizoni:
Një seminar shkencor
Në këtë rast kërkoni të formoni një grup nxënësish që kanë prirje të qartë dhe të dukshme në lidhje me fushën përkatëse të shkencave natyrore, ekzakte apo sociale…
Një ekspozitë
Në këtë rast kërkoni të mblidhni pranë vetes nxënës që kanë prirje për pikturën apo edhe për formimin dhe strukturimin e një ekspozite të larmishme, jo thjesht në pikturë.
Një konkurs
Në këtë rast përpiqeni të keni në grup nxënësish që tregojnë inteligjencë të shpejtë dhe mprehtësi në konkludimin e dijeve dhe informacioneve qofshin ato shkencore qofshin ato të kulturës në përgjithësi, nxënës të cilët karakterizohen nga një ambicie dhe shpirt shpërthyes në kornizat e një mprehtësie ideore të dukshme.
Një garë sportive
Në këtë rast, natyrshëm që përzgjidhni nxënësit më të shkathët me shpirt rrezatues në fushën e sportit, prej të cilëve pritshmëritë janë padyshim për një fitore të plotë.
Një projekt kurrikular
Në këtë rast vëmendja juaj përqendrohet në një shpërndarje të përgjegjësive për të gjitha natyrat e nxënësve, pavarësisht niveleve që shfaqin, ndërkohë ata që janë më të mprehtët dhe më të çlirët në diskutime gjejnë mundësinë dhe dalin më në pah.
Një tryezë të rrumbullakët
Në këtë rast gjeni mundësinë të trajtoni tematika të larmishme mes nxënësve duke nxjerrë në pah pikëpamje të secilit në formën e një diskutimi produktiv.
Në të gjitha rastet nxënësi është bashkëpunëtori ynë, me të cilin do të nisim rrugëtimin tonë për një arritje të suksesshme.
S’duhet harruar që:
E kemi të nevojshme “të guxojmë” në përzgjedhjen e një “ekipi” duke “këmbëngulur” dhe për rrjedhojë “duke provuar” gjithnjë e më shumë në ngritjen e cilësisë.
Ashtu sikurse një mësimdhënës e ka për detyrë të orientohet edhe në hapësira të ndryshme lëndore gjatë përgatitjes së një “ditari lëndor” të një ore të caktuar, ashtu i del si domosdoshmëri një mësuesi të bashkëveprojë edhe me të tjerë kolegë në përzgjedhjen dhe menaxhimin e suksesshëm të një organizimi.
Kështu:
- Një bashkëbisedim mes dy – tri kolegësh solli një diskutim në lidhje me një temë që kishte të bënte me “Pemët gjenealogjike”.
- Në një bashkëbisedim të ngrohtë dhe profesional u gjykua për formimin e grupit të punës që do përbëhej nga nxënës të ciklit të gjimnazit.
- U krijua “tryeza e rrumbullakët” mes mësimdhënësve të lëndëve të ndryshme si: Letërsi, Histori, Gjeografi, Art pamor, TIK dhe disa nxënësve të klasave të ndryshme të gjimnazit.
- U hartua plani i punës dhe u bë shpërndarja e detyrave përkatëse.
- U krijuan lidhjet bashkëpunuese me komunitetin e prindërve.
- U përcaktuan ditët përkatëse të organizimit të takimeve duke u treguar të përpiktë në çdo fazë të angazhimeve.
- U përcaktuan materialet që do viheshin në ndihmesë në realizimin e organizimit.
- U përcaktuan skemat përkatëse për grupimet në lidhje me temën në fjalë.
- U hartuan tekstet shkencore me të dhënat e qarta historike, gjeografike e kulturore që do të referoheshin në organizimin në fjalë.
- U përgatit ambienti i duhur i prezantimit të punimeve ekspozuese duke u ideuar në atë mënyrë që të reflektohej në çdo kënd.
- U përgatit baza teknologjike si një mundësi e shëndetshme dhe produktive për sjelljen në terren të shumë elementeve “magjike”.
- Në çdo kohë bashkëpunimi mësimdhënës – nxënës u përshkua nga rigoroziteti dhe bashkëpunimi i frytshëm mbi bazën e vlerave njerëzore dhe profesionale.
Në realitetin e sotëm ndërgjegjësohemi se një nxënës produktiv në reflektimin e këtyre proceseve s’mund të jetë përherë vetëm një nxënës i notës (10) dhjetë, ashtu sikurse edhe anasjelltas, një nxënës i notës dhjetë s’mund të jetë përherë dhe në çdo rast produktiv edhe në realizimin e një projekti.
Cilësia e arsimit s’mund të kushtëzohet thjesht dhe vetëm nga një orë mësimore, përkundrazi është e detyrueshme të dilet përtej saj duke ofruar larmi dhe hapësirë të mjaftueshme, ku çdo nxënës të shpalosë dhuntitë dhe aftësitë personale për ti zhvilluar dhe evoluar në rrethana dhe kushte të ndryshme.
Në këtë drejtim, është e domosdoshme mbështetje që u duhet ofruar atyre mësimdhënëse dhe grupeve të nxënësve që përpiqen me mish e me shpirt të sjellin sa më shumë risi në proceset edukative, arsimore dhe reformuese duke zhvilluar në këtë mënyrë këndvështrime dhe pikëpamje të larmishme që ndihmojnë në ngritjen dhe zhvillimin e hovshëm të cilësisë së arsimit.
Evans Drishti
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.