Nëse thellohemi në gjykime tilla lidhur me çështje si mosekzistenca e kohës, personalisht tërhiqem nga thellimi në dy dimensione që merr kjo ide; në atë fizik dhe atë psikologjik.
Në një vështrim të përgjithshëm mbi natyrën humane me doemos do të vërenim një element personifikues siç është kurioziteti. Ndiejmë shpesh se individi duket të jetë i projektuar për t’i dhënë përgjigje “Pse?-së” mbi çdo element që e rrethon apo e influencon, deri tek ata më të pashpjegueshmit. Duke konsideruar dëshirën për sfida si cilësi shoqëruese të kuriozitetit human një çështje si ekzistenca e kohës vjen pikërisht si një koncept sa i mistershëm, aq dhe angazhues e joshës, i cili na orienton drejt përsiatjesh të cilat realisht do të na bënin të humbisni sensin e kësaj të fundit.
Ndonëse teoria mbi relativitetin e kohës na vjen që me teorinë e Albert Einstein, ky koncept na vjen sa fizik aq dhe filozofik e psikologjik. Kështu mos ekzistenca e kohës është një mundësi shkencore, për sa kohë vetë koha është një element tejet abstrakt, brenda gjithsecilit prej nesh, duke qenë më tepër se një element shkencor, një element i cili ekziston nga radhitja e gjërave me të cilën ne e masim. Kështu koha nuk do të ishte gjë tjetër veçse një perceptim, e varur totalisht nga gjendja, apo psikika e perceptuesit. Nëse do ta konkretizonim nga përditshmëria mund të marrim shkas nga përjetimet komune se koha duket të kalojë tejet ngadalë kur jemi me ankth në pritje të diçkaje, por e kundërta ndodh kur jemi tepër të lumtur apo të emocionuar. Duke qenë se në çdo rast, koha si koncept fizik shkon njësoj orientohemi drejt konkluzionit se shpejtësia me të cilën koha kalon ndryshon sipas referencave pasi në të vërtetë nuk ka një orë natyrale në natyrë apo në trupin e njeriut.
Nëse thellohemi në gjykime tilla lidhur me çështje si mosekzistenca e kohës, personalisht tërhiqem nga thellimi në dy dimensione që merr kjo ide; në atë fizik dhe atë psikologjik. Mënyra sesi vetë qenia humane krijon kohën si një konvencion për të orientuar çdo proces e duke e përdorur atë si një rregullator të cikleve jetësore është më tepër se interesante.
Është pikërisht kjo ajo çka më nxit mua të mendoj, hulumtoj, dhe thellohem në ide të tilla duke humbur realisht sensin e kohës. A është jeta jonë një jetë e pamoshë, të cilën ne vetë zgjedhim ta masim e vlerësojmë përmes një konvencioni kohor? A do të kishim këtë zhvillim human në mungesë të këtij konvencioni apo do të përballeshim me një realitet kaotik? Pikërisht pyetje të këtij niveli janë sa nxitëse e joshëse aq dhe themelet mbështetëse për t’u thelluar mbi këtë koncept. Megjithatë, përtej informimit, gjykimeve vetjake e të përbashkëta, fakteve shkencore e karakterit psikologjik, bilanci i asaj çka mbetet është përtej individit për ta zgjidhur a dhënë përgjigje…
Dorina Zhuka
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.