Për pjesën më të madhe të adoleshentëve, mes ditëve të vitit që galopojnë njëra pas tjetrës me vrullin rinor, është vend padyshim i veçantë ai që mbart kompleksiteti i ditëve të kaluar në ciklin shkollor, e kështu vit pas viti, duke e matur 365-ditëshin në pjesën më të madhe të rasteve në varësi të 36-javëshit shkollor, për ne është i pamohueshëm ndikimi në formimin intelektual por dhe atë human i këtij të fundit.
Në funksionin parësor, të edukimit dhe informimit, më shumë se formim intelektual vit pas viti shkollor unë përfitoj modele, shembuj për t’u ndjekur. E kështu mësues lënë gjurmë, gjeste që duke i ndjekur një vit rresht i bëjmë pjesë tonën, fraza që nguliten në memorie, metoda e praktika që përpiqemi t’i ndjekim e t’i zbatojmë… jetojmë me librat, pranë përpjekjeve të mësuesve tanë për të dhënë dije e edukuar, dhe mes këtyre përpjekjesh zhytemi tërësisht, ca me lodhje e ca me buzëqeshje, dit pas dite duke rritur diçka brenda vetes.
Më tej duke konsideruar funksionin socializues të shkollës, është e kotë të themi se në të rinjtë, nuk bëjmë dot pa këtë të fundit. Gjurmët e një viti shkollor shtrihen mes të qeshurave në klasë, por dhe ndonjë grindjeje të vogël që përfundon me buzëqeshje e mirëkuptim. Mendimet teksa udhëtojnë përmes vitit shkollor, përmes bisedave për aktivitet që aq shumë i pëlqejmë, larmishmëri idesh që vërshojnë, tepër të ndryshme nga njëra-tjetra por të gjitha njësoj kreative. Shumë diskutime, argumenta, copëza shpirti të gjithsecilit dhënë mes orësh mësimore a bisedash në pushimet e lira, përshëndetje në korridore, ndonjëherë dhe gumëzhimat mbushin këto të fundit.
Kështu një vit shkollor, lë gjurmë tek mua personalisht në kompleksitetin e tij, me mësuesit e nxënës, të qeshura e të qara, lodhjen e argëtimin… një seri elementesh që shkojnë paralelisht me njëri-tjetrin por që përmblidhen nën një koncept bërthamë. Vit pas viti, pikërisht në shkollë, ne sfidohemi e sfidojmë vetveten, rritemi dit pas dite, mes bashkëmoshatarësh e të rriturish e ndajmë më shumë se copëza ditësh, copëza shpirti.
(Nga: Dorina Zhuka)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.