Çelet “Pena e petroninsave”, flet Anila Shahu: një krijesë e vogël, me qëllim të madh

Nxënësit e vitit të parë të shkollës së mesme, “Petro Nini Luarasi”, kanë krijuar për herë të parë një gazetë online. Për më tepër rrëfen, Anila Shahu, mësuesja e letërsisë dhe mbështetësja e kësaj nisme.

Të rinjë, të talentuar, pa komplekse, largpamës – këtë pozitivitet të përcjellin nxënësit e vitit të parë të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, teksa kanë prezantuar gazetën e parë online të krijuar nga vetë ata.

“Pena e petroninsave” është një nismë tepër e veçantë. Nëpërmjet gazetës, këta nxënës duan të përcjellin informacione të vërteta dhe të dobishme, por në formatin elektronik dhe jo pa qëllim! Ata duan të mbrojnë mjedisin, printimi në letër do të ishte kundër këtij parimi sipas atyre. Mësuesja e letërsisë njëkohësisht dhe mbështetësja e tyre në këtë projekt, Anila Shahu, rrëfen diçka më shumë për Portalin Shkollor. 

Ju dhe nxënësit tuaj vini në lëmin e informacioneve online me një ide të re. Cila është ajo? 

“Një krijesë e vogël, me qëllim të madh – Kjo është fraza e vetme që mund të përkufizojë idenë e nxënësve të mi te klasës së dhjetë të shkollës ‘Petro Nini Luarasi’, për të krijuar për herë të parë një gazetë të formatit elektronik”- ka thënë Anila. 

Po pse elektronike dhe jo një gazetë që të preket e të shfletohet në letër, siç edhe ka qenë tradita shumëvjeçare e gazetave të shkollave?! Pra keni ardhur me një qëllim? 

Shumëkush mendon se kjo është një përputhje me trendin e mediave online, por në këtë rast zgjedhja e nxënësve  te mi që kanë marrë përsipër lindjen e kësaj krijese, është krejt tjetër. Është për një qëllim më të madh se sa trendi i epokës së internetit. Ata kanë marrë një nismë për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet kësaj gazete, dhe printimi në letër do të ishte kundër këtij parimi. Pra, duke kursyer letrën, ata i kanë lënë natyrës pemët për të cilat ajo ka kaq shumë nevojë. Një zgjedhje që duhet përqafuar, jo vetëm nga moshatarët e tyre, po pse jo edhe nga ata botues që çdo ditë hedhin tonelata me letër duke i krijuar një gropë të parikuperueshme tokës në të cilën jetojmë.

Po çfarë është gazeta “Pena e petroninsave”? 

Ajo është një nismë e nxënësve e mbështetur dhe nga unë si  mësuesja e tyre që së pari të jenë qytetarë të mirë për komunitetin, shkollën dhe shoqërinë. Aty do të hidhen rreshtat krijues të pafajësisë dhe dëlirësisë së moshës. Do të jetë një përpjekje modeste për të ecur në rrugën e gazetarisë së vërtetë, asaj që lirinë nuk e blen dhe as nuk e shet.

Çfarë do të përmbajë kjo gazetë?

Gazeta elektronike “Pena e petroninasve”do të jetë pasqyrimi real i moshës së atyre që do të shkruajnë në të. Ajo pasqyrë nuk do të mjegullohet dhe as do thyhet. Thjeshtë do të vërë përballë të gjithë atyre që do e lexojnë, talentin, pastërtinë, largpamësinë e një brezi që është gati të shpërthejë gjithë energjinë e kulluar që vlon brenda mendësisë së tyre, që synon nëpërmjet kësaj krijese të vogël, të realizojë një qëllim të madh. E kur qëllimet janë të duhurat si në këtë rast, me një brez që hap rrugët për realizimin e tyre, e ardhmja është në duar e mendje të sigurta.

Më poshtë…

(Video sensibilizuese se përse duhet të lexojnë një gazetë të tillë, krijuar nga nxënësit nismëtarë, ndërsa përcjellin mesazhin e madh: lexoni që të jetoni!)

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Talenti 10-vjeçar me performancën më të arrirë te "Kunati i shokut Xhemal"

Next Article

Kujdesi ndaj fëmijëve, kryefjalë e familjes, shkollës, shtetit dhe tërë shoqërisë

Related Posts