Bullizmi dhe viktimat

Bullizmi është ushtrimi i vazhdueshëm i presioneve të dhunshme verbale, fizike, psikologjike ose kibernetike te një person ose grup njerëzisht, kryesisht me qëllim për të fituar pushtet mbi to.

Të prekurit nga bullizmi përballen me përjashtimin nga grupi shoqëror dhe poshtërimin nga të tjerët, duke e bërë edhe “shërimin” e tyre shumë të vështirë. Zgjidhja e këtij problemi qëndron tek eliminimi i përçarjeve dhe veprimi efektiv i menjëhershëm mbi agresorët, duke e bërë të qartë qasjen mostoleruese ndaj dhunës.

Bullizmi si dukuri ka qenë dhe vazhdon të jetë i pranishëm në shoqëri, sepse ne vetë e lejojmë atë. Kufijtë e tij shkojnë përtej marrëdhënieve të punës dhe shkollës; kushdo mund të ndikohet dhe preket prej tij dhe shpesh mosnjohja e tij e pengon luftimin. Në thelb, bullizmi është ushtrimi pa dëshiren e tjetrit i pushtetit. Pavarësisht se në linja të përgjithshme është i forti ai që ngacmon më të dobëtin, fare mirë mund të jetë edhe e kundërta.

Në mjedisin e shkollës, bullizmi mund t’i çojë të prekurit aq larg, sa atij mund t’i shkaktohen dëmtime të përhershme psikologjike, ose mund të shkojë edhe drejt vetëvrasjes. Shumë shtete  madje, kanë miratuar legjislacion të posaçëm kundër bullizmit, qëllimi i menjëhershëm i të cilit është detyrimi i personelit të shkollës për të ndërhyrë në raste të tilla. Me vëmendjen e duhur, ashtu si po veprohet dhe së fundmi nëpër media e shkolla për të sensibilizuar njerëzit, çdo problem mund të reduktohet ndjeshëm.

Le të kalojmë në një pyetje më të rëndësishme në zgjidhjen e çështjes: Çfarë e bën një njeri të jetë ngacmues/bullist? Dhe a është e mundur zhbërja e tij? Deri në ç’pikë?

Në radhë të parë, një mjedis i ngushtë, me mungesë të komunikimit për qëllimet e përbashkëta dhe për zgjidhjen e ndryshimeve të mendimeve është katalizator i konflikteve, çfarëdo qofshin ato. Kështu, te një fëmijë që ende nuk ka zhvilluar ndjenjën e vetëbesimit (me të drejtë) dhe nuk mbështetet nga mësues që ta nxitin atë, pasojat e ngacmimeve të vazhdueshme bëjnë që atij t’i përfundimisht dëshira për të shkuar në shkollë, për të qenë social dhe për t’u kujdesur  për veten në mënyrën e duhur. Pra, mësues, nxitni vetëbesimin e duhur te fëmijët!

Nga ana tjetër, ndryshe nga sa mund të thuhet zakonisht për natyrën e ngacmuesve, motivi i veprimeve të tyre nuk vjen tërësisht nga pakënaqësitë a presionet e tyre të brendshme, as nga të ndjerit i papërshtatshëm në atë mjedis. Dhe një tjetër keqkuptim është që “ngacmuesit” ndihen keq me veten e tyre. Ajo që shpesh besohet, është se thellë-thellë ata ndihen aq të pasigurt dhe të turpëruar me vetveten, saqë ky negativitet kërkon të dalë e të dëmtojë të tjerët. 

Por më e vërtetë do të ishte që ata, edhe nëse vërtet ndihen keq me veten e tyre, nuk janë të vetëdijshëm për të. Nga ana tjetër, as ne nuk duhet të ndihemi keq për ta.

Duke i sulmuar të tjerët, ngacmuesit (bulistët) bëhen të pavetëdijshëm për atë që ndiejnë vetë. Ata gjejnë mënyra specifike për t’i poshtëruar e turpëruar të tjerët, mënyra të cilat ato i fshehin te vetvetja. Dhe këtë e bëjnë dukë zbuluar intuitivisht dobësitë e një personi dhe duke i sulmuar. Pra, duke sulmuar të tjerët, kjo jo vetëm që i mban larg nga fokusi i vetvetes, por mund t’i duket emocionuese duke i bërë të ndjehen të pushtetshëm.  Edhe pse “ngacmuesit” duan t’i ulin poshtë të tjerët që të ndihen vetë lart, ata nuk janë të vetëdijshëm se sa keq ndihen ata me vetveten. Duke i poshtëruar të tjerët, ata zbehin aftësinë për të parë se sa shumë nevojë kanë të ngrenë vetveten lart. Shumica e tyre kanë të rrënjosur ndjesinë e turpit, të cilën zgjedhin të mos e zgjidhin drejtpërdrejt duke e ballafaquar. Ndjenjat e tilla të fshehura, në mungesë konfrontimi, bëhen problem, i cili do të vazhdojë të përkeqësohet duke e anashkaluar.  

Por, si duhet të mbrohemi prej bulistëve?

Ngacmuesit janë të sigurt në vetvete dhe ky besim është si një mburojë për ndjenjat e tyre. Është e mundur të jesh dhe të dukesh i sigurt në vetvete, dhe njëkohësisht të mos e kuptosh që ndihesh keq me veten tënde. Por në mënyrë që ata të vazhdojnë të kenë vetëbesim në vetvete, ngacmuesit (bulistët) gjejnë viktima, për t’i bërë ata të ndiejnë të keqen që u përket atyre.

Të kuptosh psikologjinë e një ngacmuesi (budisti) është hapi i parë për të krijuar strategjinë e duhur për t’i luftuar ata. Është e rëndësishme të kuptohet se ata nuk ndiejnë keqardhje për veprimet që bëjnë. Në fakt, ata ndihen të emocionuar dhe të pushteteshëm, duke u larguar nga problemet e tyre. Si rrjedhojë, ngacmuesit duhet të mësojnë se të bërit keq të tjerëve, nuk është asnjëherë e pranueshme. Dhe duke i transmetuar këtë, ai duhet të mësojë se ngacmimet e tij, po ashtu, nuk janë të pranueshme. 

Bullizmi mund të ketë forma shumë të ndryshme, duke u shtirë deri te marrëdhëniet diplomatike mes shteteve e përfaqësuesve të tij. Këtu mund të përmendim madje, rastin e liderëve të shquar, si presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që pushtetin e tij ndien se mund ta ushtrojë dhunshëm te vartësit. Mund të thuhet se ai vazhdimisht ushtron një lloj “bullizmi verbal dhe psikologjik” qoftë në pjesën më vulnerabël të popullit, qoftë në marrëdhënie me kolegët e tij. Nga ana tjetër, për ta luftuar këtë energji negative shfaqet figura e gruas së tij, si dhe gruas së parë të shtetit për momentin, Melania Trump. Pas shumë përfoljesh se djali i tyre është dashur të përballet me bullizmin në ambientet e shkollës, Melania ka marrë përsipër organizimin e shumë lëvizjeve sensibilizuese për ta njohur e për ta luftuar atë. Pushteti i presidentit nuk do të thotë kurrsesi, që ai mund të kërcënojë hapur dhe pa takt bashkëkombësit e pjesëtarët e senateve të shteteve të tjera, më pak të fuqishëm për sa i përket dëgjueshmërisë. Përkundrazi, gruaja e parë e shtetit po e përdor këtë për të mirat e saj, ashtu si çdokush prej nesh duhet ta bëjë me pushtetin tonë. 

Për fëmijët, viktima të bullizmit, bashkimi me moshatarët e tyre kundër agresorit mund t’u jepte një ambjent ku të ndjeheshin të kuptuar. Shpesh vikitmat e bullizmit janë të izoluara dhe të qeta, për shkak të turpit që u shkaktohet. Duke u bashkuar me të tjerët, qoftë mësues, prindër apo moshatarë, do të jetë “ngacmuesi”, ai që do të duhet të përballet me ndjenjën e izolimit. Ka gjithmonë një mënyrë për të dalë nga rrethi vicioz i ngacmimeve. Të prekurit nga bullizmi do të ulnin mundësitë e prekjes nga kjo dukuri,  nëse do të fillonin të shihnin se vlera e tyre nuk qëndron te perceptimi i tyre nga të tjerët. 

Nga ana tjetër, ngacmuesi duhet të marrë ndihmë, për të gjetur mënyra kanalizimi të ndjenjave të tyre të këqija në rrugë të tjera. Ata mund të mos i kenë aftësitë e nevojshme për ta kryer këtë proces. Me ndihmën e më të rriturve dhe më të specializuarve, ata duhet t’i fitojnë këto aftësi. Kjo mund të kërkojë një thellim në psikikën e tyre, për të shqyrtuar problemet e rrënjosura të mohuara. Por sa më shpejt që ata të mund ta njohin vetë veten, aq më shpejt do të mësojnë të krijojnë marrëdhënie të mira dhe paqësore me të tjerët dhe, mbi të gjitha, me vetveten. 

(Rea Shundi)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Ushqimi i shëndetshëm ndërton tru te shëndetshëm

Next Article

Nxënësit e shkollës bujqësore ndërtojnë një serë

Related Posts