Bullizëm me celular, alarmi: Mbi 13% e fëmijëve të prekur

Sipas statistikave, 13% e 11-vjeçarëve janë viktima të bullizmit; 12% e 13-vjeçarëve dhe 9% e 15-vjeçarëve janë viktima të bullizmit të paktën dy herë në muaj.

Bullizmi është një ndër problemet më të mëdha në shkolla, i cili mund të shkatërrojë jetën e fëmijës, duke e nxitur deri në vetëvrasje – shpjegojnë psikologët, -ose e kundërta, viktima të shndërrohet në bullist.

Bullizmi haset në forma të  ndryshme, si brenda në klasë ashtu dhe jashtë saj, sidomos gjatë pushimeve ndërmjet orëve.

“Isha prapa shkollës duke luajtur me një djalë tjetër futboll dhe erdhi njëri me synimin për të më ngacmuar. Gjoja sikur unë isha zënë me një djalë tjetër, ndaj erdhi të më godiste. Nuk pashë asnjë mësues rreth e rrotull dhe nuk i thashë njeriu, sepse klasat e mëdha kështu janë. Na ngacmojnë shpesh, sidomos kur të gjejnë vetëm, sepse ata janë në grup”, thotë një nxënës.

Përveç talljes në grup, bullizmi shfaqet në format e agresivitetit fizik, ku më i dobëti është gjithmonë i pafuqishëm ndaj më të fortit, e kjo i bën fëmijët që të mos i tregojnë këto raste dhune te prindi apo mësuesit.

“Na marrin mjetet, bëjnë sikur janë më të fortë. I kapin të tjerët i shtrijnë përtokë. Edhe te dhomat e zhveshjes na ngacmojnë, na shajnë me fjalë të pista.Ose na prekin nga pas”, rrëfen një tjetër nxënës.

Këto janë format më të njohura të bullizmit, ndërkohë që kohët e fundit po vihet re bullizmi nëpërmjet internetit, shantazhet nëpërmjet fotove, apo shprehjet kërcënuese ndërmjet njëri-tjetrit, të stimuluara këto edhe nga pajisja e çdo nxënësi me celular.

Ndërkohë që psikologët shkojnë më tej me forma të bullizmit.

“Kemi bullizmin përmes presionit ekonomik, pra ka fëmijë më të rritur që me nisma personale ose të nxitur nga më të rritur, kërkojnë para apo monedha nga fëmijë më të vegjël, të cilët nuk janë në gjendje të vetëmbrohen. Shpesh kemi pasur raportime edhe të fëmijëve që thonë se u kërkojnë edhe lekët e ushqimit”, thotë Orsiola Miha, psikologe.

Psikologët thonë se prindi ka rolin kryesor në luftën kundër këtij fenomeni, në edukimin por dhe në leximin e shqetësimeve që manifeston fëmija në shtëpi. Por në një shoqëri, ku prindërit janë të detyruar të punojnë me orare të zgjatura, të dypunësuar apo kur mjaftohen nën kujdesin e dados, lufta ndaj bullizmit mbetet një sfidë e vështirë.

Sipas statistikave, 13% e 11-vjeçarëve janë viktima të bullizmit; 12% e 13-vjeçarëve dhe 9% e 15-vjeçarëve janë viktima të bullizmit të paktën dy herë në muaj.

TCH

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Romani “Kukulla”- Shqipëria e Ismail Kadaresë

Next Article

Model për vlerësimin e nxënësve në procesin mësimor

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427