Një nga arsyet më të mira për të marrë ushqim me vete në shkollë, është të kesh mundësi ta ndash atë me të tjerë. Përveç vlerave ushqyese që sjell ushqimi me vete, ka shumë faktorë të tjerë që luajnë rol në edukimin e fëmijës.
Në një video virale, e cila qarkullon on line, ndoshta prej më shumë se një viti, paraqitet një djalë i vogël, po e quajmë Joni, ndoshta në klasën e tretë. I ulur në bankën e tij si të gjithë fëmijët e tjerë gjatë kohës së drekës, me kutinë e tij të bukës, ndërsa e hap ngadalë atë, kërkon rreth e përqark se mos po e shikon kush. Të gjithë fëmijët dukeshin të shkujdesur dhe të uritur, hapën kutitë e tyre të ushqimit dhe filluan të hanë. Ai, Joni, e hapi edhe një herë dhe e mbylli shpejt kutinë, pasi konfirmoi se në të nuk kishte asnjë gjë prej gjëje. I kërkon menjëherë mësueses që të dalë të shkojë në tualet për pak minuta. Kështu ai do të kishte kohë të mbushte kohën që i duhej fëmijëve të tjerë të konsumonin ushqimin dhe më pas ai të kthehej në klasë. Aktivitetet e varfra të korridorit dhe të vetmisë, mbaruan. Joni vendosë të kthehet në klasë. E merrë kutinë e ushqimit që ta fusë në çantë, por ajo këtë herë ishte më e rëndë nga hera e fundit që e kishte kontrolluar. E hap atë sërish ngadalë, dhe ç’të shikojë. Ishte plot e përplot me ushqim; hodhi sytë vërdallë dhe pa se një prej shokëve kishte rrush si ai që gjendej brenda kutisë së tij, më pas pa një gjysmë sandviçi, tamam si ai i shokut të bankës, pastaj një ushqim tjetër të ngjashëm me atë të një shoqeje tjetër, etj. Të gjithë shokët vazhduan të ishin të shkujdesur, gjithmonë në dukje, por të lumtur bashkë e Jonin që kishin ndarë ushqimin mes shoku shokut.
(video reference: https://www.youtube.com/watch?v=tWXkX9axcWs)
Një nga arsyet më të mira për të marrë ushqim me vete në shkollë, është të kesh mundësi ta ndash atë me të tjerë. Sa herë në jetë mund të na jepet kjo mundësi, që t’i mësojmë fëmijët tanë që herët të ndajnë, të jenë altruist, të jenë social dhe të prekin me dorën dhe mendjen e tyre mirënjohjen. Përveç vlerave ushqyese që sjell ushqimi me vete, ka shumë faktorë të tjerë që luajnë rol në edukimin e fëmijës.
Së pari, fëmija do të duhet të mësojë se ushqimi i shtëpisë, është përgatitur me aq kujdes dhe dashuri nga mami ose nga gjyshja, gjyshi dhe të tjerë kujdestarë në familje. Ky proces i jep fëmijës konfort, siguri, ndjenjë dhe dashuri të pazëvendësueshme. Në fund të fundit i kushton fëmijës vëmendje dhe ai ndjehet mirë që në dalje, merr një copëz dashuri me vete të materializuar në bukën që e përgatisni ju, me shijet e preferuara të fëmijës.
Së dyti, jo gjithmonë ato shije mund të jenë më të mira se ushqimi i pashëndetshëm i dyqanit, por ju keni në kontroll të mbani në formë shëndetin e fëmijës. Ju mund të evitoni rrugën drejt obezitetit. Ju mund të kontribuoni në respektimin e piramidës ushqimore. Kështu do të përfitoni prej fëmijës një ekuilibër shumë të mirë ushqimor dhe marrjen e vitaminave të duhura.
Së treti, t’i mësojmë fëmijës rreth ushqimit, rëndësisë që ai ka në jetën tonë. T’i mësojmë fëmijët për vlerat ushqyese dhe larminë e produkteve. Mos kini frikë të eksperimentoni ushqime të shëndetshme me fëmijët dhe mos thotë kush se fëmija nuk do. Unë mendoj se fëmija përpara se të reagojë duke mos e dashur një ushqim, ka mësuar prej jush pushtetin që ka për t’i thënë “jo!” ushqimit tuaj. Mësojeni që prej fillimit të rezistoni ndaj çdo lloj forme ankese me rregullat se:
– ushqimi nuk shahet. Ai nuk është asnjëherë “i keq!”
– ushqimi do të duhet të merret aq sa mendohet se mund të konsumohet.
– Ushqimi nuk hidhet, ai ndahet.
Së katërti, ushqimi me vete të jep mundësi të ndërtosh një marrëdhënie sociale, të mësojë empatinë, të mësojë shkëmbimin etj. Fëmijët të cilët ndajnë ushqimin me njëri-tjetrin, janë të prirur që të zënë dhe kenë më shumë shokë rreth tyre. Fëmijët shumë shpejt arrijnë që të kuptojnë se fëmija që ka pranë, ka një zemër të mirë dhe është i dashur. Fëmijët kanë dëshirë të qëndrojnë me fëmijë të dashur.
A është “bukë me vete” një sjellje “e dalë nga moda?”
Shumë prej prindërve e mendojnë më praktike të blejnë diçka në market sesa të përgatisin një ushqim të shpejtë nga shtëpia, midis atij vrulli mëngjesi të pamëshirshëm. Ndoshta kjo mund të ishte një zgjidhje, por përveç përfitimeve fizike, fëmija përfiton edhe emocionalisht, psikologjikisht. Mendoj se fëmijët ndër të tjera, kanë shumë nevojë të marrin vëmendje prej njëri-tjetrit. Ky është një ushqim social që asnjëherë nuk del nga moda. Sa më shpejt të filloni praktikën, aq më shpejt do merrni frytet.
Drnt. Denata Toçe
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.