“Çfarë muzike!” është libri më i ri i botuar nga shtëpia botuese “Albas”. Libri i veçantë i ofrohet të gjithë atyre që e duan muzikën e vërtetë dhe e mbajnë gjithnjë në zemër.
Doli nga shtypi libri më i fundit nga shtëpia botuese “Albas”, “Çfarë muzike!”, me autore Laura Puscedu Abis dhe i përkthyer në shqip nga Ervisa Paloka. Në të pasqyrohen të gjithë grupet legjendare të rrokut botëror e këngëtar të famshëm të muzikës Pop, përfshirë këtu Nirvana, Rolling Stones, Pink Floyd, David Bowie, Daft Punk, Michael Jackson, Madonna Elvis Presli etj. Por e veçanta është se, përmbledhjes origjinale të autores italiane i janë shtuar edhe grupet rrok më të famshme shqiptare, historia e të cilave është përgatitur nga Kozeta Kurti dhe ilustruar nga Semela Mero. Nga grupet shqiptare përmendim, Elita 5, Djemtë e detit – i paharruari Gent Demaliaj, grupi Arb – Redon Makashi, Ritfolk, grupi X – Aleksandër Gjoka, Tingulli i zjarrtë – Elton Deda etj.
Ky libër përmbledh historitë e këngëtarëve dhe të grupeve muzikore më të njohura botërore dhe shqiptare, atyre që kanë revolucionarizuar, që kanë lënë apo po lënë gjurmë në historinë e muzikës moderne. Për çdo këngëtar apo grup muzikor botëror, por edhe shqiptar jepet një informacion bazë mbi krijimin, zbulimin, rrugëtimin në fushën e muzikës, ndikimin që kanë pasur dhe gjurmët që kanë lënë. Pra në këtë përmbledhje ju do të mund të lexoni për gjithë jetën e tyre. Ky libër i kushtohet muzikës dhe forcës që transmeton ajo dhe të gjithë atyre që brenda vetes kanë një yll roku.
Një libër i mrekullueshëm për bibliotekën e të rinjve, pse jo edhe për të rriturit, pasi atyre iu kujton një kohë kur muzika revolucionarizoi botën, ndërsa fëmijët dhe të rinjtë i edukon me shije dhe kërkesa të larta për muzikën.
“Muzika mund ta ndryshojë botën, sepse ajo mund të ndryshojë njerëzit”, thuhet në një nga paragrafët e librit “Çfarë muzike!”.
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.