Bardhyl Musai: Mësimi i bazuar në projekte 

Çfarë është dhe pse gjithnjë e më shumë kërkohet që mësuesit të përdorin mësimin e bazuar në projekte? Shkrim nga Bardhyl Musai. 

“Mësimi i bazuar në projekt” i referohet nxënësve që hartojnë, planifikojnë dhe kryejnë një projekt të zgjeruar që prodhon një rezultat të cilin e paraqesin publikisht si produkt, botim a prezantim. Mësimi i bazuar në projekt lidhet me të nxënët i orientuar në pyetje (i njohur gjithashtu si mësimi i bazuar në hulumtim) dhe të nxënët e bazuar në problem. Tipari dallues i të nxënit të bazuar në projekt është rezultati i paraqitur publikisht, i cili është motivues jashtëzakonisht i fuqishëm si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit.

PAK HISTORI

Të nxënët e bazuar në projekt nuk është dukuri e re, ai ishte i popullarizuar në fillim të shekullit të 20-të nga Xhon Djui (John Dewey) i cili njihet si një nga përkrahësit e hershëm të arsimit të bazuar në projekte nëpërmjet idesë së tij të “të nxënit duke bërë”. Hulumtimi arsimor e ka çuar më tej këtë ide, të mësimdhënies dhe të nxënit, në një metodologji të njohur si “të nxënët e bazuar në projekt”. Disa studiues, gjithashtu, e lidhin mësimin e bazuar në projekt me këndvështrimin e “të nxënit në situatë” të Zhan Pijazhesë (Jean Piaget) dhe teoritë konstruktiviste.

KONCEPTI SOT

Thomas Markham, themeluesi i të nxënit në projekt në nivel global, përshkruan mësimin e bazuar në projekt si integrim i “të diturit dhe të bërit”. Nxënësit ndërtojnë dijet dhe elementet e kurrikulës bërthamë, por zbatojnë gjithashtu atë që dinë për të zgjidhur problemet e jetës reale dhe për të prodhuar rezultate që kanë rëndësi. Nxënësit e përfshirë në projekt përfitojnë nga mjetet digjitale për të prodhuar produkte bashkëpunuese me cilësi të lartë. Të nxënët në projekt përqendron procesin te nxënësi, jo te kurrikula, ndryshim ky i detyruar nga bota globale, e cila shpërblen asete të paprekshme të tillë si nxitja, pasioni, krijimtaria, ndjeshmëria dhe fleksibiliteti. Këto nuk mund të mësohen nga teksti shkollor, por duhet të aktivizohen përmes përvojës.Në ditët e sotme, është bërë edhe më e domosdoshme të nxënit e bazuar në projekt pasi teknologjia digjitale e bën më të lehtë se kurrë më parë për nxënësit të kryejnë hulumtime serioze, të prodhojnë punë me cilësi të lartë, të regjistrojnë hapat e të gjithë procesit dhe të ndajnë krijimet e tyre me mjedisin jashtë klasës dhe shkollës.STRUKTURATë nxënët e bazuar në projekt thekson aktivitetet mësimore që janë afatgjata, ndërdisiplinore dhe të përqendruara te nxënësi. Ndryshe nga aktivitetet tradicionale në klasë, të udhëhequra nga mësuesi, nxënësit shpesh duhet të organizojnë punën e tyre dhe të manazhojnë kohën e tyre kur angazhohen në projekt.

ELEMENTET

Ideja thelbësore e të nxënit të bazuar në projekt është se problemet e botës reale tërheqin interesin e nxënësve dhe provokojnë të menduarit e thellë, dhe, përmes këtij procesi ata ndërtojnë dhe zbatojnë dije të reja në kontekst të zgjidhjes së problemeve. Mësuesi luan rolin e lehtësuesit, duke punuar me nxënësit për të hartuar pyetje të vlefshme, duke strukturuar detyra kuptimplote, duke stërvitur si zhvillimin e njohurive ashtu edhe aftësitë sociale dhe duke vlerësuar me kujdes atë që nxënësit kanë mësuar nga përvoja.

PËRFITIMET

Si rezultat i mësimit të bazuar në projekt, nxënësit ndërtojnë dije të thella për përmbajtjen dhe zhvillojnë të menduarit kritik, bashkëpunimin, krijimtarinë dhe shprehitë komunikuese. Mësimi i bazuar në projekt çliron energji krijuese midis nxënësve dhe mësuesve.Modeli i shkollës së vjetër, i të nxënit pasiv të fakteve dhe i riprodhimit të tyre jashtë kontekstit, nuk është më i vlefshëm për t’i përgatitur nxënësit për të mbijetuar në botën e sotme dhe të nesërme. Zgjidhja e problemeve komplekse kërkon që nxënësit të kenë aftësi themelore (të lexuarit, të shkruarit dhe matematikë) dhe aftësi të shekullit të 21-të (punë ekipore, zgjidhja e problemeve, mbledhja e të dhënave për hulumtim, manazhimi i kohës, sintetizimi i informacionit, përdorimi i mjeteve të teknologjisë së lartë). Me këtë kombinim të aftësive, nxënësit bëhen drejtues dhe manazherë të procesit të tyre mësimor, të udhëhequr dhe mentoruar nga një mësues i aftë.Kjo qasje e re në veprimtarinë e shkollës është mjaft emocionuese për mësuesit që të fillojnë të bëjnë projekte me nxënësit e tyre. E që të arrihet kjo, mësuesve u duhet dhënë gjithçka që u nevojitet për të filluar; shpjegimi dhe interpretimet teorike, udhëzimet metodologjike, veprimtari të zhvillimit të vazhdueshëm profesional dhe modelet bazuar në praktikat më të suksesshme globale, për t’u përshtatur e zbatuar në kushte lokale, të cilët lipset të përhapen.

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

MAS: Vitin e ardhshëm, pagat e mësuesve dhe punonjësve psikosocialë rriten me 6% (2021)

Next Article

Lehtësoni punën mësimore të nxënësit që të fitoni ambicien e tij

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427