Arqile Malo: Mendoje mësimin si udhëtim poetik

“Duaje shkollën! Duaje diturinë! Lexo shumë, pa mbarim! Puno me disiplinë! Përpiqu të prezantosh çdo element, të përmirësosh njohuritë e tua çdo ditë të jetës shkollore!”

Kur takohesh për herë të parë me mësuesin e gjuhës së shkollës “1 Qershori” në Tiranë, z. Arqile Malo, të kalojnë ndërmend shumë vargje dhe copëza librash që do ta përshkruanin më së miri portretin e tij profesional. Me fjalë të thjeshta, gjatë bisedës me profesorin, rrjedhin kuptime të mëdha që do t’u vlenin të gjithëve, nga nxënësi më i vogël deri te ai më i rrituri, kolegëve të tij dhe prindërve të nxënësve.

Profesor Malo e ka nisur rrugëtimin në fushën e arsimit që sa u diplomua në vitin 1976. Gjurmët e punës së tij 40-vjeçare si mësues, por edhe si drejtues, i ndeshim fillimisht në: Kukës, Krujë, Derven, Nikel dhe, pas viteve ’90, në Tiranë, në shkollat “Servete Maçi”, “Sabaudin Gabrani”. Profesor Malo është mësues në shkollën “1 Qershori”.

I përhumbur në kujtime, pyetjeve të Portalit Shkollor ai u përgjigjet:

Si është marrëdhënia juaj me nxënësit?

Gjithë jetën më ka shoqëruar dashuria për ta dhe për t’u dhënë atë që kisha mundësi t’u jepja, sa më mirë. Mësimi ka qenë i shenjtë edhe kur isha mësues i thjeshtë, edhe kur isha drejtues në shkolla të ndryshme. Askush dhe asgjë nuk mund të ndërpriste punën time gjatë orës së mësimit, sepse ajo u përkiste nxënësve. Fëmija është një qenie që duhet ta zgjosh, që të japë më të mirën e tij, që të zbulojë vetveten. Gjithë orën aq sa jam i disiplinuar, aq edhe e mirëpres humorin e nxënësve. Nuk marr “inat” askënd, përkundrazi përpiqem të flas me gjuhën e secilit.

Çfarë ka ndryshuar tek nxënësit brez pas brezi? Çfarë keni vënë re ju?

Për fat të keq, konstatoj që ata brezat e hershëm kur studionin 30 veta në klasë dhe 20 prej tyre ishin nxënës të 10-tës, nuk ekzistojnë më. Mësuesi nuk është më “modeli” që nxënësi dëshiron t’i ngjajë kur të rritet. Ndoshta nuk egziston më as tradita dhe kërkesa e shumë viteve më parë, por në vend të saj ekzistojnë njohjet dhe miqësitë. Shkaqet mund të jenë të ndryshme; është shoqëria në tërësi. Shumëllojshmëria e informacionit, media që e bombardon mendjen e nxënësit me lloj-lloj çudirash, koha e humbur pa vlerë në lojërat elektronike etj. Ëndrrat janë zëvendësuar nga obsesioni për futbollin, skedinat, rrjetet sociale…

Në lëndën tuaj, cila është vështirësia më e madhe për nxënësin?

Absolutisht është drejtshkrimi. Sado të ngul këmbë në zbatimin e rregullave të drejtshkrimit dhe shqiptimit, nxënësit vijnë me boshllëqe që nga cikli i ulët dhe përparojnë me vështirësi në këtë drejtim. Më kujtohet dikur, në Shkollën “Sabaudin Gabrani”, unë këmbëngulja që prindërit e nxënësve që regjistroheshin në klasë të parë, të plotësonin një formular me të dhëna nëse fëmija kishte shkuar në kopësht, kush ishte marrë me rritjen e tij, arsimin e prindërve, nëse dinin të lexonin që më parë, nëse dinin të dallonin numrat. Nga ky pyetësor, unë i orientoja mësuesit që drejtoja të njihnin nevojat e nxënësve paraprakisht dhe të ngulmonin në përmbushjen e tyre, kështu që në fund të ciklit të ulët të siguroheshin që nxënësit kishin marrë maksimumin e njohurive që mund të merrnin në rrethanat e tyre. Ndërsa tani, kemi edhe nxënës që nuk dinë të lexojnë rrjedhshëm edhe pse janë në klasë të pestë. Arsimi fillor është baza. Aty i jepet formë dhe aftësi nxënësve për të udhëtuar në jetë. Sado që në ciklin e lartë përpiqem që t’iu jap nxënësve punë të thelluar me shkrim, ata përsëri e kanë të vështirë, pasi lexojnë edhe pak. Unë i ftoj të lexojnë, ua tregoj titujt e rinj, por, pavarësisht kësaj, pas klasës së pestë e të gjashtë, nxënësit largohen gjithnjë e më shumë nga të lexuarit.

A ju ka mbetur diçka peng gjatë viteve tuaja të punës?

E dua shumë poezinë. Kam shkruar poezi, por gjithmonë me mëdyshjen a e ka të bukurën poezia brenda. Si do ta presin? Dhe kjo mëdyshje më ka penguar të botoj. Mbase ky është pengu im, që më ka kundërshtuar vetvetja. Një formë mosbesimi i pashpjegueshëm, por ja që ka ndodhur. Nëse mund të quhet peng, ka qenë edhe fakti që në konkurset e fjalës artistike gjithmonë i kam udhëzuar nxënësit të zgjedhin poezi që përcjellin mesazhe filozofike, kur në fakt çmimet e para iu jepeshin nxënësve që recitonin poezi me karakter patriotik, ose ato që i përmbante programi mësimor.

Cila ka qenë ajo mësuese apo mësues që e keni patur idhull?

Çdo mësues që ka qenë korrekt në procesin arsimor ka qenë idhull për mua. Çdo mësues që përpiqej të zhvillonte nxënësin, që nuk rreshte së kërkuari, që dinte dhe e realizonte atë që kërkonte. Me keqardhje them se këta mësues i takojnë brezit të vjetër dhe jo të ri të mësuesve. 

Cili është mesazhi për nxënësit tuaj?

Duaje shkollën! Duaje diturinë! Lexo shumë, pa mbarim! Puno me disiplinë! Përpiqu të prezantosh çdo element, të përmirësosh njohuritë e tua çdo ditë të jetës shkollore!

Po për kolegët?

Të mos bjerë niveli i arsimit, kërkesat. Për mua, mësimi është si të recitosh një poezi e çdo ndërhyrje ta pret fillin. Mendoje mësimin si udhëtim poetik, ku ti do të gjesh më të bukurën brenda vargut, mesazhin….dhe… ndërprite këtë mendim vetëm kur të bjerë zilja.

(Nga: Dasareta Mitro)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

21-vjeçari harton një projekt për të pastruar oqeanet

Next Article

Nxënësit e shkollës "Vasil Shanto" vizitojnë nga afër Kullën e Sahatit

Related Posts