Duke lexuar këtë ese të këtij djaloshi të ri, shpejt të rrëmben mendimi se talente që dinë të shkruajnë gjithmonë do të ekzistojnë, siç ekziston njerëzimi, historia dhe librat. Dhe pikërisht gjimnazisti Arlind Kamberi shkruan sot për këta të fundit, në simbol të Ditës Botërore të Librit.
Leximi është një ndjesi që njeriu e ka përjetuar në mënyrë të dukshme fillimisht teksa kërrusej nën dritën e qiriut për të lexuar të vërtetat hyjnore apo historitë dhe alegoritë e profetëve. Nëse “Bibla” e “Kurani” janë sot librat më të përkthyer në botë, kjo nuk do të thotë se Krishti e Muhameti me fjalën e tyre e rrethuan leximin brenda kështjellës së besimit. Homeri, Eskili Virgjili, Plutarku, Ciceroni zbritën nga bota antike greko – romake dhe na ofruan vepra për të kuptuar sesi luftërat dhe paqja mijëra vjet më parë kalonin në të njëjtat shtigje, ku zvetënohej apo pasurohej shpirti njerëzor. Tek “Iliada” apo “Odiseja” nuk mund të zbulosh vetëm peshën e luftës mbi fatet e njerëzve, por është një bashkëbisedim me historinë dhe rrëfimtarët më të mirë të shekujve të hershëm që na zbritnin perënditë e Olimpit në tokë.
Askush nuk e beson se libri mund të zëvendësojë ushqimin e përditshëm në tryezat tona, por ndoshta gjyshërit tanë nuk e kanë harruar, kur nënat e tyre i vinin në gjumë pa ngrënë duke u treguar përralla apo legjenda. Mbase gjyshet apo gjyshërit janë shkrimtarët e parë që takojmë në jetë. Magjia e këtij rrëfimi u zëvendësua nga leximi i bababallarëve dhe nënave tona, teksa na lexonin dikur buzë shtratit kur ishim fëmijë, libra si: “Aventurat e Pinokut” apo “Tom Sojerit” që të na zinte gjumi, tani jo nga mungesa e bukës mbi tryezë, por që të tresnim ëndrrat tona. Ne po jetojmë në shek XXI ku përpara nesh, çdo gjë fluturon me shpejtësinë e internetit apo të një kliku mbi celular apo kompjuter.
Shpesh përqendrimi tek libri apo leximi duket sikur ka humbur durimin e dikurshëm për të shfletuar pa u lodhur faqe romanesh apo librash me poezi., Megjithatë nëse je përballë leximit të një tragjedie të Shekspirit si “Hamleti”, e kupton se ai shekull nuk ka pasur vetëm intrigën e mbretërve, por edhe penën e hollë të shkrimtarit anglez që ka gdhendur qindra personazhe duke u qëmtuar me kujdes që nga forma e veshjes, sjelljet, makthet apo edhe thirrjet për t`u hakmarrë apo për të ndrequr botën. Teksa Hamleti në një çast thërret: “ Kjo botë u shthurur, o prapësi o dreq, që unë paskam lindur të të ndreq”, e kupton se Shekspiri ishte dëshmitari më i mirë i atij shekulli, ku leximi me vëmendje i çdo vargu të tragjedive, na bën të mendojmë se po flasim me më të mirin e atij shekulli.
Ndoshta “Xha Gorioi” i Balzakut, Kozeta e Vogël apo “Katedralja e Parisit”, kur i lexon, mund të kuptosh se Balzaku apo Hygoi nuk ishin veçse më të mirët e shekullit të tyre për të na rrëfyer se egoja e parasë dhe ligësisë që kishte pushtuar Francën, e kishin shtyrë natyrën njerëzore drejt skajeve të tjera, ku mëshira ishte mëkat dhe shfrytëzimi vlerë. Mbase sot kemi gazetarët për të na rrëfyer mëkatet e shoqërisë, por besoj shkrimtarët dhe librat që lexojmë mund ta pastrojnë shpirtin e gjithsecilit, nëse lexojmë jo vetëm me sy, por edhe me thellësinë e zemrës.
Megjithatë edhe një vend i vogël siç jemi ne, ka pasur fatin e një shkrimtari si Kadareja që, ndërsa është përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës, mund të ndiejmë dikë të thotë se “kur kam lexuar librat e tij, kam folur me një ndër shkrimtarët më të mirë të shek XX”. Megjithëse njerëzit kanë shpikur ditë të ndryshme për të kujtuar nënën, babain, tokën natyrën, i kanë kushtuar edhe një ditë librit. Libri në historinë e tij ka pasur ditë të mira e të këqija, por gjithmonë vuan nga ideja se njerëzit mund ta harrojnë në një qoshe të rehatisë së tyre e të rendin pas gjërave të tjera, ku bota moderne na shkel syrin në cdo hap me kënaqësitë e saj. Por kënaqësia kur lexon një libër, mbetet e pashlyeshme për këdo dhe me mendje uron atë që ka marrë mundimin që të sjellë një dramë, histori, apo rrëfim nga jeta e dikujt përmes alegorisë, simboleve dhe similitudave. Atëherë, e kupton se leximi të ka futur si pa kuptuar në një bashkëbisedim të ngadaltë me ata, që sot i quajmë shkrimtarë.
Përgjatë shekujve ata kurrë nuk kanë ndalur së shkruari, pasi jeta e njeriut, dramat, tragjeditë e komeditë e tyre, mundën t`i shprehin në libra si rrëfime që vijnë nga shekujt. Nuk ka rëndësi nëse ata e kanë emrin Homer, Servantes, Molier, Balzak, Hygo, Tolstoi, apo Asdren, Fishta, Migjeni, Kadare, Agolli. Gjithmonë përballë tyre mund të ndjesh peshën dhe emocionin që të krijon leximi, kur rrëshqet mes rreshtave të librave, ashtu sikurse lundron me një varkë mbi një lumë, që është herë i qetë dhe herë i rrëmbyer. Nëse do të kërkojmë emocione të tjera të vetvetes, jeta na ofron pa fund. Askush nuk mund të thotë se nuk ka pasur kënaqësi të shohë një ndeshje, të bëjë ski apo të udhëtojë. Madje udhëtimet shpesh i ngjajnë librit, pasi siç thotë një dijetar i njohur: “ai njeri që nuk ka udhëtuar ndonjëherë në vende të tjera, i ngjan atij që nga një libër ka lexuar vetëm një faqe”. Mbase kjo na shtyn gjithnjë të marrim një libër në valixhet tona edhe kur shkojmë diku tjetër, kur bëjmë plazh apo notojmë.
Leximi është një kënaqësi për shpirtin që nuk e shlyen shija e një pije të freskët apo dreka e shijshme dhe e bollshme që na rizgjon energjitë e trupit Në botë botohen me miliona kopje librash dhe ka me mijëra shkrimtarë. Bota ka shpikur çmimin Nobel në Letërsi, i cili shpesh duket si një kambanë që u kujton shkrimtarëve që ju nuk keni lindur vetëm për të shkruar, por edhe për të ndryshuar botën me shkrimet e veprimet tuaja. Përballë një libri mund gjesh mbi kopertinën e tij të shkruar herë roman, tregim, poezi, dramë, tragjedi, komedi dhe befas kupton sesa mënyra ka shpikur njeriu për t`u thënë të tjerëve sesi e sheh ai botën. Në të vërtetë, mënyra sesi e sheh botën një shkrimtar është e veçantë dhe shpesh nuk i ngjan botës së piktorit me ngjyra apo muzikantit me nota.
Tek leximi i librit mund të flasësh me të kaluarën, të sotmen, të ardhmen që ka kaluar përmes shekujve, por nëpër mend të vjen gjithmonë emri i shkrimtarit që të ka sjellë një copë nga bota e brendshme e një shekulli që ti nuk e ke jetuar. Kufijtë e jetëgjatësisë së njeriut ende janë të përcaktuar. Ai mund ta përjetojë një shekull apo shekujt paraardhës duke parë një film, një pikturë, një dokument në arkivë, por veçanërisht duke lexuar një libër. Nëse dhimbja, lufta, paqja, dashuria njerëzore e kanë shoqëruar njeriun përgjatë shekujve, librat kanë qenë ato, që e kanë përcjellë atë. Diku kam lexuar se djegia e Bibliotekës së Aleksandrisë ka qenë një nga tragjeditë më të mëdha të njerëzimit, ashtu si humbja e tragjedive të Esikilit apo djegia e dorëshkrimeve të shkrimtarëve të ndryshëm nëpër trillet e fatit të tyre.
Më pëlqen që ka një ditë që na kujton se duhet të duam LIBRIN dhe ta lexojmë atë me vëmendje, ashtu sikurse duhet, që çdo ditë të jetës tonë, të shfletojmë diçka nga ajo që ka mbetur në letër. Ne sot flasim në heshtje me miqtë tanë me mesazhe virtuale, ndërkohë që ata meritojnë vëmendjen dhe zërin tonë. Kur je me një libër, ti lexon në heshtje, por nëpër të, endet jehona e zhurmës së shkrimit, që ka rrëfyer atë pjesë të shekullit që ti po lexon. Shpesh është fat të takosh gjatë ditës më të mirët, por vetëm kur lexon libra, mund të flasësh, të komunikosh dhe të njihesh me të jashtëzakonshmit e shekujve.
Arlind Kamberi
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.