Vit pas viti, profesioni i mësuesit bëhet gjithnjë e më i vështirë, jo nga kërkesat për rritje shkencore të tij, por për procedurat shoqëruese të punës së tij ditore, mujore, tremujore dhe vjetore…
Çdo vit arsimor që mbaron, mbyllet me pretendimet e mësimdhënësve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore për probleme që lidhen me punën e mësuesit dhe drejtuesit.
Vit pas viti, profesioni i mësuesit bëhet gjithnjë e më i vështirë, jo nga kërkesat për rritje shkencore të tij, por për procedurat shoqëruese të punës së tij ditore, mujore, tremujore dhe vjetore.
Një mësues që ka më shumë se 10 vite në arsim është dëshmues i ndryshimeve skematike në punën e tij që e bëjnë të devijojë nga profesionalizmi drejt shkathtësisë për të përmbushur shkresa pafund.
Mësimdhënia me në qendër nxënësin apo mësuesin kanë mbetur si platforma teorike të dorës së dytë.
Çdo mësues duhet të ketë në duart e tij dhe sigurisht në vëmendje të punës së tij: planin mësimor, planin ditor (ditarin), regjistrin personal, regjistrin e çdo klase ku jep mësim, regjistrin e klasës në kujdestari, planin edukativ, dosjet/ portofolet e nxënësve, detyrat e shtëpisë së nxënësve, statistikat e tremujorëve I, II, III etj. etj.
Secili nga këto materiale është një përgjegjësi e kontrolluar dhe e vlerësuar si pjesë e kontrollit personal dhe profesional të mësuesit.
I gjithë ky material duhet thënë që është një përgjegjësi shoqëruese e punës së çdo minute të mësuesit. Sigurisht i gjithë ky material kërkon përkushtimin e tij dhe mbi të gjitha kohën për t’u përgatitur.
Nuk duhet harruar që përtej kësaj pune është puna kryesore e mësuesit, ajo e mësimdhënësit. Madje përgjegjësia e mësimdhënësit e kombinuar pandashmërisht me punonjësin edukativ të institucionit.
A i është lënë kohë mësuesit të synojë dhe të arrijë rritjen shkencore të tij duke ditur që kualifikimet, trajnimet, masterat, punimet shkencore, duan kohën e tyre?
A është shqetësuar ndonjëherë dikush të dijë efiçencën dhe efektivitetin e gjithë atyre shkresave që kërkohen të përmbushen nga mësuesit?
Për çfarë vlejnë?
Nëse pas pesë vitesh një nxënës do të kërkojë një vërtetim notash nga ish shkolla e tij, sekretaria e shkollës do të përdorë si dëshmi apo material burimor amzën, regjistrin, apo statistikat e plotësuara nga mësuesit?
Nëse një nxënës ka arritur rezultate të larta në matematikë, kjo ka ardhur se mësuesi i matematikës bënte një plan ditar shumë të mirë?
Një klasë me performancë të lartë në fund të vitit është sepse mësuesi kujdestar i saj bën një plan edukativ të mirë?
Përse gjithmonë ngarkojmë shkollën të shndërrohet në arkivë hedhurinash kur shumë mirë mund t’i japim asaj atributin që duhet të ketë?
Brenda institucioneve arsimore qoftë atyre publike dhe atyre jopublike ka specialistë të mirëfilltë të cilët mund të kurojnë problemet e vërteta të shkollës sot;
Tekstet shkollore, kërkesat për rritje profesionale të arsimtarëve, infrastruktura shkollore, informatizimi i provimeve shtetërore (të klasës së nëntë dhe klasës së dymbëdhjetë).
Nuk mund dhe nuk duhet të jemi kaq të qetë kur nisim dhe mbyllim vite të njëpasnjëshme shkollore me po të njëjtat probleme madje me problem mbi probleme.
A duhet të vazhdojmë të kopjojmë strategjitë e vendeve të tjera me bindjen që shembulli i tyre do të ushqejë sistemin tonë arsimor?
T’i lëmë specialistët pa vulosur dijet e tyre si autorë tekstesh, modulesh, platformash?
T’i lëmë mësuesit të bëhen llogaritarë?
Nëse presim të zhvillojmë vendin, zhvillimi nis me arsimin. I pari që duhet përmirësuar është pikërisht arsimi.Pasi të kemi nisur të zhvilluari atë, atëherë mund bëjmë politikë sa të duash, me ose pa letra.
Alma Shiba Mara
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.