Stafi i Portalit Shkollor prezantoi e-librin shkollor Albas në shkollën “Mileniumi i Tretë” në Prishtinë. Nxënësit e kësaj shkolle ishin të interesuar për librat digjitalë. Materialet multimediale të cilat janë të pasqyruara në tekstet digjitale ngjallën kureshtjen e nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle.
“A është edhe libri i gjuhës shqipe 6 me të cilën mësojmë ne i digjitalizuar?”, kjo ishte pyetja e parë që nxënësit na drejtuan teksa mësuese Drita Kolndreu shpjegonte librin digjital gjuha shqipe 6.
Pas takimit dhe prezantimit të librave digjitalë, në faqen zyrtare të shkollës është publikuar ky lajm:
“Me zhvillimin e teknologjisë dhe trendeve për zhvillimin dhe praktikimin e mësimit elektronik nëpër vendet e zhvilluara edhe shkolla jonë është në vazhdën e përdorimit dhe zbatimit të vazhdueshëm të risive. Kësaj here, ne pritëm përfaqësues të shtëpisë botuese Albas nga Tirana, me përfaqësi edhe në Prishtinë.
Njohës dhe ekspertë të metodologjive të mësimdhënies nga shtëpia botuese në fjalë, prezantuan para nxënësve dhe mësimdhënësve udhëzimet për qasje në librat mësimorë digjitalë për shkollën fillore të ulët, të mesme dhe të mesme të lartë.
Përmes regjistrimit në faqen e portalit shkollor të shtëpisë botuese Albas, mësimdhënësit dhe nxënësit do të kenë mundësi qasjeje në këta libra digjitalë, të cilët ofrojnë mundësi më të mëdha të punës praktike dhe interkomunikimit më të mirë midis mësimdhënësve dhe nxënësve.
Këta libra janë të pasur me materiale multimediale dhe e lehtësojnë edhe më shumë punën praktike në shkollën tonë.”
Ky është një portal i ri që ofron e-librin ALBAS, si pjesë e botimeve të kësaj kompanie, si dhe materiale të shumta shkollore, të cilat me përparësitë dhe risitë pedagogjike të transmetuara përmes teknologjisë, shërbejnë për modernizimin e procesit mësimor.
Për librin digjital kanë punuar me përkushtim dhe shumë dashuri autorët e teksteve dhe i gjithë stafi i ALBAS-grupit. Autorët, redaktorët dhe dizenjuesit tanë kanë krijuar për ju tekste shkollore moderne dhe bashkëkohore.
Në portal këto tekste shkollore në formë digjitale janë lehtësisht të përdorshme nga të gjithë. Ato shoqërohen me materiale multimediale që përmbajnë video, audio, foto, skema etj.
Këtu ju mund të gjeni të gjitha materialet didaktike dhe të tjera për përgatitjen e temave mësimore, duke mundësuar kështu zgjerimin e njohurive të mësuesit, nxënësit dhe prindërit.
Portali është i pasur edhe me shërbime të shpejta, si: ndihmë praktike, kalendarë interaktivë, katalogë dhe revista dhe, së fundmi edhe lidhje online me ne.