21 marsi shënon ditën botërore të poezisë.
Kjo ditë ka për qëllim nderimin e poetëve, leximin, shkrimin, promovimin e botimin e poezisë në të gjithë botën. Gjatë kësaj dite, në shumë vende të botës zhvillohen konferenca, mbrëmje poetike e takime për të lexuar e analizuar poezi.
Kjo ditë u shpall nga UNESCO në 1999, për t’i dhënë shtysë lëvizjeve poetike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, për të treguar ndërlidhjen e poezisë me artet e tjera, si edhe për të promovuar më gjerësisht poezinë në media.
Poezia i ka rrënjët në lashtësi, në formën epike, që u ndërtua në vargje për t’u përhapur lehtësisht në mënyrë gojore. Me kalimin e kohës, poezia mori trajta të ndryshme në varësi të parimeve estetike të çdo epoke.
“Si një formë intime e të shprehurit që u hap dyert të tjerëve, poezia pasuron dialogun që përcjell përparimin njerëzor dhe është më i nevojshëm se ndonjëherë në kohë të turbullta”, tha Audrey Azoulay, Drejtore e Përgjithshme e UNESCO, me rastin e Ditës Botërore të Poezisë 2022.
Përpara se të caktohej data 21 mars, dita botërore e poezisë festohej në tetor, në emër të Virgjilit, i cili lindi më 15 tetor në vitin 70 para erës sonë.
©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.